Marrëveshja me Italinë/ Bashkia Memaliaj shpreh gatishmërinë të strehojë emigrantët
2023-12-06 14:37:14

Foto nga Panorama

Bashkia Memaliaj ka shprehur gatishmërinë për të strehuar emigrantët që pritet të vijnë në Shqipëri në bazë të marrëveshjes së nënshkruar me Italinë.

Kryetari i Bashkisë së Memaliajt, Albert Malaj, i është drejtuar me një letër kryeministrit Edi Rama, ku i kërkon që në këtë qytet të strehohen një pjesë e emigrantëve, si një përgjigjie humanitare ndaj situatës aktuale që përfshin emigrantët që kanë gjetur strehim në Europë, shkruan “Panorama”.

“Bazuar në marrëveshjen e lidhur mes kryeministrit të Shqipërisë me kryeministren e Italisë, në të cilën është dakortësuar për sjelljen e emigrantëve dhe azilkërkuesve afrikanë nga Italia në kampe të vendosura në Shqipëri, është momenti të tregojmë mikpritjen tonë nisur nga përjetimi dhe mikpritja që ne për shumë vite si emigrantë e kemi gjetur në shtetet europiane”,- shkruan kryebashkiaku i Memaliajt.

Ai theksoi mbështetjen te dakordësia e komunitetit për mikpritjen, zotërimin e hapësirave dhe ambjenteve të përshtatshme akomoduese, si dhe pozicionin e favorshëm të zonës në afërsi të portit të Vlorës dhe Sarandës. (Irma)