Zhvillohet në Tiranë “Balkan Film Market”
2023-12-06 14:52:47

Foto nga rtsh

Ashtu sikurse në shumë vende të botës, edhe në Tiranë do të zhvillohet marketi i filmit.

Agjencia e Industrisë Kreative do të organizojë në kryeqytetin shqiptar “Balkan Film Market”, i cili do të mbledhë profesionistë vendas, kineastë të rinj të Ballkanit, ekspertë të fushës nga mbarë Europa, si dhe kompanitë më të njohura të prodhimit kinematografik në Europë, shkruan “RTSH”.

Në datat 13-17 dhjetor, në kryeqytet do të vijnë producentët dhe distributorët më të rëndësishëm nga e gjithë Europa, për të nisur një etapë të re bashkëpunimesh në territorin e Ballkanit.

Aktiviteti do të zhvillohet në ambientet e Piramidës, ku aspirantët për të nisur punën për filmin e tyre të parë, të përzgjedhur paraprakisht në bazë të aplikimeve të realizuara përgjatë dy muajve të fundit, do të punojnë individualisht me mentorë të huaj për të zhvilluar skenarin me të cilin përfaqësohen.

Paralelisht, kineastë nga rajoni do të prezantojnë projektet e tyre para producentëve dhe distributorëve të ftuar në “BFM”, duke pasur mundësinë të sigurojnë mbështetjen që u nevojitet në fazën e para ose pas prodhimit.

Po ashtu, Tirana do të shndërrohet në një pikë strategjike takimi për prodhuesit e filmit, që do ta njohin më nga afër kryeqytetin shqiptar, duke e parë edhe nga këndvështrimi i një lokacioni të mundshëm për xhirime.

“Balkan Film Market” realizohet këtë herë në partneritet me Bashkinë Tiranë, Ambasadën Franceze, Ambasadën Austriake, Institutin Italian të Kulturës, Filmmakers Europe, Qendrën e Artit “Agimi”, nën organizimin e Agjencisë së Industrisë Kreative. (Irma)