Kryeministri Rama: Shqipëria është sot në një nivel tjetër
2023-12-06 09:50:43

Foto nga ATSH

Kryeministri shqiptar, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi se tashmë kanë filluar të marrin formë frytet e punës dhe përpjekjes së një rruge të vështirë 10-vjeçare.

Sipas tij, Shqipëria ka arritur të ketë thuajse 10 milionë turistë dhe tashmë vendi është në një nivel tjetër, shkruan “ATSH”.

Ndërsa mori pjesë në Asamblenë e Zgjeruar të Partisë Socialiste në Shkodër, Rama tha se kjo nuk është maja ku duhet dhe do të ngjitet Shqipëria në vitin 2030, pasi ka ende shumë për të bërë.

“Çfarë kemi mbjellë duhet ta korrim hap pas hapi, me reformat, me investimet dhe me ndryshimet e ndodhura, por Shqipëria është sot në një nivel të ri”,- tha Rama.

Sipas tij, kjo gjë vihet re edhe nga vlerësimet e institucioneve financiare ndërkombëtare dhe duke parë shifrat domethënëse.

“Kemi mbajtur inflacionin më të ulët në rajon dhe vitin e ardhshëm, rreth mesit të vitit, inflacioni pritet të stabilizohet plotësisht. Kemi një monedhë jashtëzakonisht të fortë, për shkak të faktit që jemi ngjitur në një nivel të ri”, tha Rama. (Irma)