Firmoset marrëveshja për edukimin në shkolla kundër korrupsionit
2023-12-05 14:43:50

Marreveshja per edukimin kunder korrupsionit (Foto Atsh)

Marreveshja per edukimin kunder korrupsionit (Foto Atsh)

Ministria e Arsimit, Ministria e Drejtësisë dhe Ambasada e Italisë në Shqipëri firmosën një marrëveshje 3-vjeçare, e cila ka në fokus përhapjen e kulturës së ligjshmërisë dhe qytetarisë së përgjegjshme në shkolla, si mjet për të parandaluar korrupsionin, shkruan “ATSH”.

Marrëveshja u firmos nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, dhe ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci.

“Marrëveshja tripalëshe ka të bëjë me përfshirjen në edukimin qytetar edhe të instrumenteve që kanë të bëjnë me ndërgjegjësimin, sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe informacionit që fëmijët duhet të marrin nëpërmjet kurrikulave, leksioneve, seminareve, debateve, mbi çështje që lidhen me fenomene të dëmshme për shoqërinë”,- deklaroi ministrja Manastirliu.

Ministri Manja tha se për këtë projekt, i cili do të shtrihet në 12 shkolla, në 6 qytete të vendit, është gjetur gatishmëria e menjëherëshme e Ministrisë së Arsimit dhe e partnerëve italianë.

Promovimi i kulturës së ligjshmërisë në shkolla nisi si një projekti pilot në 4 shkolla të Tiranës dhe tashmë do të shtrihet në gjashtë qarqe, në Tiranë, Durrës, Shkodër, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër. (Irma)