foto nga CFP
Kina dhe BE-ja vendosën në bazë të konsultimeve që Takimi i 24-t i Liderëve Kinë-BE të zhvillohet më 7 dhjetor në Pekin.
Ky takim do të mbahet me rastin e 20-vjetorit të vendosjes së partneritetit të gjithanshëm strategjik midis Kinës dhe BE-së dhe të 25-vjetorit të krijimit të mekanizmit të Takimit të Liderëve Kinë-BE. Ky do të jetë takimi i parë me prani fizike midis liderëve të të dy palëve. Shumë vëzhgues evropianë janë të mendimit se përballë situatës së ndërlikuar ndërkombëtare, të dyja palët duhet ta shfrytëzojnë këtë takim për të shtuar besimin reciprok, për të forcuar bashkëpunimin dhe për të përballuar sfidat e shumta globale.
Piotr Gadzinowski, ish-kryeredaktori i gazetës polake "Trybuna" dhe njëherësh ish-anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të Polonisë, është i mendimit se pas takimit të presidentëve Kinë-ShBA, të dyja palët shprehën vullnetin për kthimin në konkurrencën racionale dhe marrëdhëniet kino-evropiane do të favorizohen nga ky takim. Kina është partnerja më e rëndësishme ekonomike joevropiane e BE-së dhe në disa fusha është më e rëndësishme se ShBA-ja. Edhe Polonia e ka Kinën partnere kryesore ekonomike dhe shpreson se ndërmarrjet kineze do të shtojnë investimet në këtë vend, veçanërisht në modernizimin dhe zgjerimin e infrastrukturës hekurudhore lidhur me trenat e mallrave Kinë-Evropë.
Georg Zanger, kryetari i Shoqatës së Biznesit Austriako-Kineze dhe avokat i famshëm austrak, është i mendimit se formimi i blloqeve kundër Kinës është një gabim. Sipas tij, BE-ja është shprehur se nuk kërkon "shkëputjen" nga Kina, por "çrrezikimin". Ndërkohë, ndërmarrjet e mëdha gjermane dhe franceze janë të ndërgjegjshme se "shkëputja" nga Kina do të nënkuptojë humbjen e tregut kinez, dhe veçanërisht industria evropiane e automjeteve do të pësojë humbje të mëdha. Prirja e çindustrializmit është shumë e dukshme në Evropë dhe kjo do të shkaktojë më tej recesion ekonomik. Prandaj, duhet realizuar ekuilibri midis forcave dhe duhet shmangur konkurrenca dhe margjinalizimi, mendon Zanger.
Martin Sörös, gazetari i lirë austrak, shprehet se gjatë Takimit të Liderëve Kinë-BE, pala evropiane duhet t'i shpjegojë palës kineze përmbajtjen konkrete të termit "çrrezikim". Ai tha se ekonomia kineze është mjaft e fuqishme tani dhe nuk mbështetet më te Evropa në fakt. Partnerët që kanë dëshirë të bashkëpunojnë me Kinën përfshijnë Afrikën, vendet e BRICS-it, Amerikën Latine, si dhe vendet evropiane, si Hungaria, Serbia etj. Madje dhe Australia po i afrohet Kinës. "Me një fjalë, Evropa ka më shumë nevojë për Kinën sesa Kina për Evropën," tha ai.
Urusov Volodymyr, profesori i asociuar i Fakultetit të Historisë të Universitetit të Kievit të Ukrainës, theksoi se Evropa dhe Kina kanë histori të lashta dhe një traditë të gjatë mendimi. Shkëmbimet dhe mësimi nga njëri-tjetri ndërmjet qytetërimeve evropiane dhe kineze kanë rëndësi të madhe në dialogun intelektual global. Ai vlerëson lart edhe politikën që sapo ka shpallur nga Kina për heqjen e vizave ndaj pesë vendeve evropiane, si Franca, Gjermania, Italia, Spanja e Holanda, dhe mendon se kjo masë do t'i japë impuls të ri bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve njerëzore dypalëshe. (Wang Lei/ Artan)