Studimi: Shqipëria është shndërruar në laborator të emigracionit kronik
2023-12-03 18:55:29

Emigracioni (Foto Panorama)

Emigracioni (Foto Panorama)

Shqipëria është shndërruar në një laborator të emigracionit kronik, i cili vijon në përmasa të mëdha përgjatë 33 viteve që nga rënia e komunizmit, thuhet në raportin e publikuar nga ekspertët Ilir Gëdeshi dhe Russell King, “Studentët shqiptar jashtë, një potencial për emigrimin e trurit”.

Sipas raportit, mbi 600 të rinj shqiptarë të anketuar që studiojnë jashtë vendit janë shumë të kënaqur me zgjedhjen që kanë bërë, shkruan “Panorama”.

Studimi tregon se synimet e të rinjve për t’u larguar dhe arsimuar jashtë vendit duket të jenë më të larta se kurrë më parë.

Studimi vë në dukje se studentët janë trashëgimtarë të profesionistëve dhe po shërbejnë si një indikator për emigrimin kronik të të rinjve për studime, në një kohë që cilësia e universiteteve shqiptare nuk po përmirësohet.

Të dhënat që i takojnë vitit 2017 tregojnë se stoku i studentëve jashtë vendit është 17.488 prej të cilëve 59.4% janë në Itali, 6.9% në Greqi dhe 5.7% në Turqi, dhe pjesa e tjetër në vendet e tjera të BE-së.

Të dhëna më të detajuara tregojnë se studentët jashtë vendit janë kryesisht pasardhës të profesionistëve (mjekë, avokatë, arkitektë, profesorë universiteti, ekspertë IT, gazetarë etj.) dhe të personave të biznesit (pronarë, drejtorë, menaxherët, partnerët etj.).

Informacionet më të detajuara kanë treguar se brenda familjeve shqiptare dhe nga një brez në tjetrin është vërejtur gjerësisht një prirje për të emigruar me qëllim studimet.

Të dhënat e anketës tregojnë se 62 për qind e prindërve të studentëve që studiojnë në Britaninë e Madhe janë persona në biznes, profesionistë apo zyrtarë të lartë shtetërorë.

Të intervistuarit kanë pohuar se studimi me bursë jashtë vendit është selektiv dhe kryesisht fitohet nga familjarët drejtues. Megjithatë ata që largohen për të studiuar jashtë kanë më shumë gjasa të kenë prindër të diplomuar.

 (Irma)