Kryediplomatët e Ballkanit nënshkruajnë deklaratën kundër korrupsionit në Evropën Juglindore
2023-12-02 17:58:13

Foto: VCG

Foto: VCG

Ministrat e Jashtëm të Ballkanit nënshkruan një deklaratë të përbashkët për luftimin e korrupsionit në Evropën Juglindore, përmes konfiskimit dhe digjitalizimit të aseteve, në kuadër të Këshillit Ministror të OSBE-së, i mbajtur në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

“Përpjekjet bashkëpunuese janë thelbësore për të trajtuar në mënyrë efektive këtë sfidë komplekse. Duke pranuar se korrupsioni nuk njeh kufij, nënshkruesit zotohen të punojnë së bashku për të parandaluar, hetuar dhe ndjekur penalisht korrupsionin në të gjithë Evropën Juglindore. Vetëm përmes veprimeve kolektive mund të bëjmë përparim të rëndësishëm në çrrënjosjen e korrupsionit”,- bëhet e ditur në deklaratën e miratuar, citon “RTSH”.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se korrupsioni kërcënon sigurinë dhe mirëqenien ekonomike dhe se nënshkrimi i deklaratës nënkupton përkushtimin e tyre në nivelin më të lartë të mundshëm.

Ministri shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, deklaroi se kjo luftë duhet të jetë prioritet dhe mbetet vullnet politik për të bërë diçka më shumë në këtë fushë. 

Ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, tha se korrupsioni është një realitet politik në Ballkan dhe për këtë arsye njerëzit po shpërngulen. (Irma)