Banka e Shqipërisë: Kursimet u shtuan me 1 miliard euro në një vit
2023-12-02 18:37:16

foto: VCG

foto: VCG

Banka e Shqipërisë bëri të ditur se kursimet në lekë dhe valutë të individëve dhe biznesit në sistemin bankar kanë shënuar një ecuri pozitive gjatë muajit tetor. Sipas të dhënave të BSH-së, stoku i depozitave në lekë arriti në 547.5 miliardë lekë, me një rritje prej 0.75% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose 4 miliardë lekë më shumë, shkruan “ATSH”.

Në tetor, rritja e kursimeve në lekë është ndikuar nga korporatat jofinanciare ashtu dhe nga individët, kryesisht në llogari kursimi pa afat.

Ndryshe nga kursimet në lekë, ato në valutë kanë shënuar rritje të qëndrueshme vitet e fundit. Në fund të tetorit, stoku i kursimeve në euro arriti në 7.26 miliardë euro, me një rritje prej 1% në krahasim me muajin e mëparshëm, ose 75 milionë euro më shumë, e ndikuar si nga bizneset, ashtu dhe nga individët.

Ndonëse me ritme të ngadalësuara, rritja ka vijuar edhe në shtator e tetor, teksa në gusht kursimet në valutë panë zgjerimin më të madh prej 286 milionë euro, të ndikuara nga efektet sezonale, por dhe prurjet pozitive në turizëm.

Depozitat në euro janë rritur me 17% në bazë vjetore, ose 1.05 miliardë euro më shumë. (Irma)