BERZH: Më shumë se gjysma e popullsisë së Shqipërisë me një simptomë të shëndetit mendor
2023-12-01 14:36:06

Tirana (Foto Lapsi.al)

Shqipëria renditet në mesin e vendeve me nivele të larta të problemeve me shëndetin mendor, duke zënë vendin e 18-të nga 38 vendet në tranzicion të BERZH-it. Femrat vuajnë më shumë se meshkujt nga shëndeti mendor në të gjitha vendet, përfshirë edhe Shqipërinë.

Në një raport të fundit, BERZH-i vë në dukje se shëndeti i mirë mendor lidhet ngushtë me produktivitetin. Gjendja e mirë mendore rrit sasinë e kohës që njerëzit janë në gjendje të punojnë dhe në këtë mënyrë rrisin të ardhurat dhe pasurinë e tyre.

Shëndeti i fortë mendor gjithashtu është i lidhur me një nivel më të lartë të optimizmit për jetën. Edhe në këtë tregues, popullsia e Shqipërisë nuk ka bërë asnjë përmirësim që nga viti 2016, citon “Panorama”.

Çrregullimet mendore, si depresioni, ankthi dhe çrregullimet e personalitetit, janë 10 shkaqet kryesore që kufizojnë aftësitë e njerëzve, ku më të përhapurit janë depresioni dhe ankthi. Anketa vuri në dukje se të rinjtë dhe të moshuarit kanë prevalenca më të larta të problemeve me shëndetin mendor, pasi 40% e tyre në rang global raportojnë çrregullime së paku një herë në javë.

Prevalenca e sëmundjes mendore vlerësohet se arrin kulmin në mesin e të tridhjetave. Të anketuarit raportuan gjithashtu se kanë aftësi të dobëta për ushtrimin e detyrave ditore si pasojë çrregullime emocionale nga stresi dhe depresioni. (Elona)