Shqipëria e angazhuar për përfshirjen në tregjet europiane me produkte cilësore
2023-12-01 16:52:15

Foto RTSH

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, deklaroi se Shqipëria po punon intensivisht për zhvillimin e infrastrukturës, bashkëpunimin rajonal dhe reformat integruese për përfshirje në tregjet elitare të BE-së me produkte cilësore, duke synuar rritjen e mëtejshme të eksporteve të produkteve shqiptare, përcjell “RTSH”.

Ndërsa mori pjesë në panelin e konferencës ndërkombëtare të organizuar nga UNIDO, në Vjenë, me temë “Industrializimin në vendet me të ardhura të mesme: Një forcë lëvizëse për zhvillim të qëndrueshëm”, ministrja Denaj vuri në dukje se ekspertiza e UNIDO do të mund të ndihmojë në mënyrë të konsiderueshme në përshpejtimin e procesit të bashkimit të fermerëve dhe krijimit të zinxhirit të vlerës, rritjen e cilësisë dhe standardeve të produkteve, në veçanti në lidhje me frutat, perimet dhe bimët mjekësore, duke synuar shkallë më të lartë në industrializim si një motor i zhvillimit të qëndrueshëm.

Sipas ministres Denaj, reformat e marra nga qeveria shqiptare për kalimin në një ekonomi të drejtuar nga teknologjia synojnë rritjen e vlerës së punës dhe produkteve, zinxhirin e vlerës dhe aksesin në tregje. (Elona)