Fluks vizitorësh në Muzeun e Krujës, rreth 7 mijë vetëm në nëntor
2023-11-30 16:19:13

Foto ATSH

Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” ka shënuar një fluks të lartë vizitorësh gjatë muajit nëntor, në kuadër edhe të festave të 28 dhe 29 nëntorit.

Drejtori i Muzeut Historik dhe Etnografik Krujë, Mehdi Hafizi, tha për ATSH-në se nga 1 nëntori,  rreth 7 mijë vetë  e kanë vizituar muzeun, ku shumica prej tyre kanë qenë nxënës shkollash nga të gjitha trevat shqiptare.

“Përveç vizitorëve vendas, një numër të konsiderueshëm kanë zënë edhe të huajt, të cilët edhe në këto ditë nëntori kanë treguar interes  për t’u njohur me historinë e popullit shqiptar dhe në veçanti heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu”, - tha Hafizi.

Më 1 nëntor muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë shënoi edhe 41-vjetorin e krijimit.

Në muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shek. XV e më gjerë. Në pavijonet e muzeut janë ekspozuar objekte prej qeramike, bronzi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona origjinale, shkrime, kambana e vitit 1462, shpata origjinale të shekullit të XV etj. (Elona)