INSTAT: Prodhimi vendas i energjisë elektrike, rritje me 17.5 % në 3-mujorin e tretë
2023-11-30 15:36:40

Foto ATSH

Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në tremujorin e tretë të vitit u rrit me 17.5 %, duke arritur vlerën 1.611 GWh nga 1.371 GWh energji të prodhuar në tremujorin e tretë të vitit 2022.

Sipas raportit të publikuar së fundmi nga INSTAT-i për bilancin e energjisë elektrike, ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 76.7 %, nga hidrocentralet private dhe koncesionare në masën 21.5 % dhe nga të tjerë prodhues (fotovoltaikë) në masën 1.8 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike, citon “ATSH”.

Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje), në tremujorin e tretë të vitit 2023, arriti vlerën 755 GWh nga 1.142 GWh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar kështu një rënie me 33.9 %. (Elona)