Tregu i punës në Shqipëri, në kërkim të profesionistëve dhe zanatçinjve
2023-11-29 17:26:49

Foto Atsh

Tregu i punës në Shqipëri gjithnjë e më shumë është në kërkim të profesionistëve dhe të zanatçinjve, ndërsa zgjerohen sektorët në zhvillim, duke ndjekur edhe trendin botëror të zhvillimit të ekonomisë dhe teknologjisë, deklaroi pedagogu dhe studiuesi Erion Muça, në një intervistë për “ATSH”-në.

Sipas tij, 70% e kërkesave për punë janë për profesionistë dhe zanatçinj apo teknikë të mesëm dhe të lartë, ndërsa 30% për kualifikime që lidhen me arsimin e lartë universitar.

Ai theksoi se papunësia vjen për shkak se të rinjtë zgjedhin universitetin dhe jo zanatin, apo arsimin profesional, si rrugë drejt punësimit.

Muça tha se për momentin tregu i punës në Shqipëri është i fokusuar në sektorë si Teknologjia e Informacionit dhe zanatet, duke shtuar se arsimi profesional është qasja e duhur drejt tregut të punës.

Ai vuri në dukje rëndësinë e përditësimit të kurrikulave, të cilat duhet të orientohen sipas kërkesave të tregut, po ashtu, sugjeroi më shumë dialog mes politikëbërjes dhe ekspertëve të fushës.

Muça pati dhe sugjerime për të rinjtë, të cilët sipas tij duhet të zbulojnë talentin e tyre dhe të specializohen aty ku kanë prirjet më të mëdha, duke iu referuar edhe tregut të punës.

“Sugjerimi për të rinjtë është që së pari duhet të fillojnë vendimmarrjen e tyre për karrierën nga analiza inteligjente dhe vetjake se çfarë bëjnë më mirë, çfarë janë të zotë të bëjnë më mirë sesa shokët e tyre, ku ndihen më mirë dhe të punojnë në këtë drejtim, për ta kthyer atë element në mundësi punësimi. Nëse e mendojnë të arsyeshme mund të punojnë si profesionistë të lirë, të krijojnë kompani të tyre, të zhvillojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë aftësinë profesionale, mund të bëjnë disa punë nëse janë të aftë”, përfundoi Muça. (Irma)