Emigracioni dhe plakja po ulin popullsinë e Shqipërisë
2023-11-29 11:01:17

Aeroport (Foto Pamfleti)

Emigracioni dhe plakja po ulin me shpejtësi popullsinë e Shqipërisë. Të dhënat krahasuese të Eurostatit tregojnë se Gjirokastra dhe Korça u renditen në raportin Rajonet e Europës për rënien më të madhe të shtesës natyrore të popullsisë në vitin 2021, shkruan “Panorama”.

Shtesa natyrore e popullsisë së Gjirokastrës ra me 7 për qind nga janari i vitit 2021 në janarin e vitit 2022, ndërsa në qarkun e Korçës me 4.3 %.

Qarqet e Dibrës, Kukësit dhe Tiranës renditen ndër rajonet me shtesën më të lartë natyrore.

Në Shqipëri, veç faktorëve të tjerë, shtesa natyrore popullsisë u ndikua negativisht nga mortaliteti i lartë që shkaktoi pandemia Covid-19, ku vdekjet shtesë u rriten rreth 30%.

Sipas të dhënave nga INSTAT-i, në Shqipëri gjatë vitit 2021 lindën 27.284 foshnja, duke shënuar një rënie me 2,8 %, krahasuar me një vit më parë. Gjatë vitit 2021 humbën jetën 30.580 persona, duke shënuar një rritje me 10,8 %, krahasuar me 2020.

Gjatë vitit 2021, katër qarqe të vendit shënuan shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në tetë qarqet e tjera shtesa natyrore e popullsisë ishte negative. (Irma)