111 pemë të mbjella nga 111 nxënës në 111-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë
2023-11-29 10:31:54

Foto Rtsh

Me rastin e 111-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, 111 nxënës mbollën në mënyrë simbolike 111 pemë në Parkun e Varrezave të Dëshmorëve, në Tiranë.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili u bë pjesë e aksionit për mbjelljen e pemëve, tha se sot patriot është ai që nuk e bën pis Tiranën dhe Shqipërinë, ai që nuk ndot, por kontribuon për gjelbërimin, shkruan “RTSH”.

“Sot po jetojmë ditët tona më të mira, si Tiranë, si në Shqipëri. Madje, edhe si shqiptarë në rajon. Jam shumë mirënjohës kur shoh fëmijë të vegjël dhe nxënës, që javën e tyre të pushimit e kalojnë duke mbjellë 111 pemë në një nga kodrat më të bukura, siç janë Varrezat e Dëshmorëve. Shpresoj shumë që kjo javë festimesh të jetë edhe një javë reflektimi për të kuptuar se sot pengesat më të mëdha i bëjmë vetë kur nuk gjejmë gjuhën dhe kur pengojmë njëri-tjetrin”,- tha Veliaj.

Ai e theksoi me rëndësi mbjelljen e një peme në ditët e sotme, pasi është një vlerë e shtuar për të nesërmen.

Drejtoresha e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, Anisa Ruseti falenderoi të vegjlit e qytetit për kontributin dhe nënvizoi se këto pemë janë një bukuri e shtuar për Tiranën, si dhe një kontribut i shtuar për brezat e ardhshëm. (Irma)