Aeroporti i Vlorës pritet të jetë gati në mars 2025
2023-11-29 17:10:51

Foto Atsh

Kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku inspektuan punimet në kantierin e ndërtimit të aeroportit të ri ndërkombëtar në Vlorë.

Në këtë aeroport po punohet në disa fronte, te pista, ngritja e terminalit prej 20 mijë metrash katrorë, kulla e operimit, godina e zjarrfikësve, hangarët, ndërtimi i rrugëve lidhëse dhe infrastruktura e fushës aeroportuale, shkruan “ATSH”.

Sipas Ballukut, ky aeroport do të jetë i kategorisë 4E, një nga më të lartat në Ballkan dhe ai pritet të jetë gati në mars 2025.

Ky aeroport do të ketë dhe një inovacion, i gjithë aeroporti do të jetë i mbuluar me panele diellore.

“Do të vendosen në mënyrë që mos të krijohen problematika me uljen e ngritjen e avionëve. Këto do të prodhojnë 5.2 MWH energji të rinovueshme, që do të jetë për nevojat e aeroportit”,- tha Balluku. (Irma)