Shqipëria renditet e treta në Ballkan për investimet e huaja
2023-11-29 17:28:30

Foto Panorama

Investimet e huaja direkte hyrëse në terma realë u rritën vitin e kaluar, por megjithatë Shqipëria qëndron në mesin e renditjes rajonale në tërheqjen e këtyre investimeve.

Sipas të dhënave krahasuese të Bankës Botërore, flukset hyrëse të investimeve të huaja në Shqipëri vitin e kaluar ishin sa 7.6% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, në rritje nga niveli prej 6.8% i vitit të mëparshëm, duke e renditur vendin të tretin në Ballkan, pas Malit të Zi dhe Kosovës, shkruan “Panorama”.

Për vitin e kaluar, Mali i Zi thithi investime të huaja direkte në masën e 14.3% të PBB-së, me diferencë të konsiderueshme nga vendet e tjera të rajonit.

Pas Malit të Zi, vijon Kosova me 8.6% të PBB-së, e ndjekur nga Shqipëria me 7.6% të PBB-së. Në krahasimin me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria lë pas Maqedoninë e Veriut, ku flukset hyrëse të Investimeve të Huaja Direkte vitin e kaluar përbënin 6.4% të PBB-së dhe Bosnjë-Hercegovinën, me 2.6% të PBB-së.

Megjithëse në vlerë absolute investimet e huaja direkte gjatë viteve të fundit, kanë arritur vlera rekord. Vlera e tyre në raport me PBB-në është larg niveleve më të larta historike.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, niveli më i lartë i këtij treguesi u arrit në vitin 2009, kur investimet e huaja direkte përbënin 11.2% të PBB-së.

Në dekadën e fundit, niveli më i lartë është regjistruar në vitin 2013, me 9.8% të PBB-së, ndërsa në vijim vlerat kanë qenë në rënie.

Viti 2021 shënoi nivelin më të ulët në 15 vitet e fundit, me flukse investimesh direkte hyrëse sa 6.8% e PBB-së.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vitin e kaluar investimet e huaja direkte arritën vlerën e 1.37 miliardë eurove, në rritje me 33% krahasuar me një vit më pare dhe në vlerën më të lartë të shënuar ndonjëherë.

Për sa i takon flukseve të investimeve të reja, një sektor që ka shënuar rritje të ndjeshme në vitet e fundit ka qenë ai i pasurive të paluajtshme. (Irma)