Shqipëria feston 111-vjetorin e Pavarësisë, autoritetet shqiptare në Vlorë për ngritjen e flamurit
2023-11-29 10:06:55

Ngritja e flamurit ne Vlore (Foto Facebook Presidenca shqiptare)

Shqipëria feston 111-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke e shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur.

Me këtë rast, autoritetet më të larta të vendit ishin në Vlorë, për të bërë ngritjen simbolike të flamurit kuqezi. Të pranishëm ishin presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, si dhe përfaqësues të institucioneve shqiptare dhe përfaqësues nga trevat shqipfolëse, të cilët vendosën kurora me lule në Monumentin e Pavarësisë.

Presidenti Begaj deklaroi se Dita e Flamurit, si simboli më përfaqësues e më përbashkues i kombit, është festa më e bukur e shqiptarisë.

“Le të na shërbejë modeli frymëzues i etërve themelues, të cilët dhanë gjithçka për Shqipërinë e lirë e të pavarur, si udhërrëfyes në çdo punë që bëjmë për vendin dhe për shqiptarët. Të udhëhiqemi nga qëllime të larta, më i larti prej të cilëve është mbrojtja e vlerave të paqes, demokracisë dhe prosperitetit të Shqiperisë”,- bëri të ditur presidenti Begaj.

Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kryetari i qeverisë së përkohshme, Ismail Qemali njoftoi Fuqitë e Mëdha dhe shtetet ballkanike, duke u kërkuar njohjen e pavarësisë, si rrjedhojë e natyrshme e vullnetit të popullit shqiptar. Pavarësia u shpall për të gjitha trojet shqiptare dhe ministrat u zgjodhën nga të gjitha krahinat shqiptare, shkruan “ATSH”.

Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Shpallja e Pavarësisë dhe ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë ishte fitore e përbashkët për të gjithë popullin shqiptar dhe për të gjitha forcat që kishin marrë pjesë në luftën për çlirimin kombëtar. (Irma)