Kryeministri Rama: Në fillim të dhjetorit nis shpërndarja e bonusit të pensionistit për festat e fundvitit
2023-11-29 17:07:44

Foto Atsh

Kryeministri Edi Rama deklaroi se 33% e totalit të shpenzimeve buxhetore në vitin 2024 është për kujdesin social. Ai njoftoi se bonusi i pensionistit këtë vit do të nisë të shpërndahet brenda pak ditëve, shkruan “ATSH”.

Gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste në Vlorë, Rama tha se shpërndarja e bonusit të pensionistit që në ditët e para të dhjetorit lidhet me rendimentin pozitiv të ekonomisë, duke sjellë në vëmendje rritjen e turizmit dhe jo vetëm.

Kreu i qeverisë shqiptare foli edhe për mbështetjen për pensionistët. Ai theksoi se në buxhetin e vitit 2024 janë caktuar 250 milionë euro të tjera për pensionistët.

“Do të donim që kjo shumë të ishte edhe më e madhe. Por, ne kemi më shumë sesa asnjëherë më parë dhe asnjëherë s’duhet harruar që, e para, numri i pensionistëve krahasuar me të tjerët është shumë i lartë dhe e dyta, gropa e madhe e dekadave të tëra të shkaktuara nga mospagimi i sigurimeve shoqërore, është e vetmja gropë ende e pambyllur nga të gjitha gropat që kemi mbyllur nga qeveria e mëparshme nga e cila morëm detyrën. Kjo e bën të vështirë edhe realizimin e ambicies sonë për të pasur rritje më të ndjeshme të pensioneve”, tha Rama. (Irma)