Pekin, zhvillohet pritja me rastin e Ditës Kombëtare të Shqipërisë
2023-11-28 23:22:10

Ambasada shqiptare në Pekin organizoi të martën një pritje me rastin e Ditës Kombëtare të Shqipërisë. Në këtë veprimtari merrnin pjesë titullarë të trupit diplomatik në Kinë, miq dhe dashamirës të Shqipërisë, shqiptarë që punojnë e studiojnë në Kinë etj. Ishte e pranishme në pritje edhe e dërguara e posaçme e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës për Bashkëpunimin Kinë-Vendet e EQL-së, znj. Jiang Yu.

Në fjalimin e rastit, ambasadori i Shqipërisë në Kinë, z. Selim Belortaja, vuri në dukje se 28 Nëntori është një ditë e shënuar për Shqipërinë. Kjo ditë shënon padyshim identitetin e Shqipërisë si një vend i pavarur, si një komb krenar europian, si një kulturë dhe qytetërim i lashtë me rrënjë të thella. Shqipëria është dinamike dhe e larmishme, e bukur dhe e pasur me burime natyrore, me një brez të ri që mëson shpejt dhe me mendje të hapur, një vend i njohur për tolerancën dhe mikpritjen, shembull i mirë i bashkëjetesës fetare dhe pranimit të dallimeve, nga i cili dolën shumë personalitete me famë botërore. Ai shtoi se roli i Shqipërisë si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon njihet gjerësisht. Sipas tij, Shqipëria do të vijojë të japë kontribut në zgjidhjen e arsyeshme dhe të drejtë të dy konflikteve të armatosura që janë ende në zhvillim e sipër.

Përfaqësuesi i diplomacisë shqiptare në Kinë kujtoi gjithashtu se sivjet është 74-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-kineze dhe se Shqipëria është ndër vendet e para që njohu Republikën Popullore të Kinës. Ai shprehu respektin e vet më të thellë për të gjithë ata që kanë dhënë ndihmesë në forcimin e miqësisë ndërmjet dy popujve, duke përfshirë degën e gjuhës shqipe të dy Universiteteve në Pekin dhe redaksinë e gjuhës shqipe të Grupit Mediatik të Kinës, si dhe Institutin Konfuci në Tiranë etj., për punën e tyre të shkëlqyer. E falënderoi edhe të gjitha shkollat e larta kineze që kanë ofruar bursa, pajisje dhe ndihma të ndryshme për studentët shqiptarë.

Z. Belortaja shtoi në fund të fjalimit se Shqipëria dhe Kina kanë mundësi të mëdha bashkëpunimi në fusha të gjera. Ai shprehu gatishmëri për të pritur më shumë përparime në këtë drejtim me rezultate frytdhënëse.