Siguria ushqimore, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit merr 102 masa paralajmërimi
2023-11-26 13:37:40

Kontrollet Aku (Foto Lexo.al)

Kontrollet Aku (Foto Lexo.al)

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kryer gjatë kësaj jave në shkallë vendi mbi 2099 inspektime në subjekte të ndryshme tregtare ushqimore, në kuadër të planit të masave për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit, shkruan “ATSH”.

Sipas AKU-së, 1441 inspektime janë kryer në pikat e kalimit kufitar, nga ku janë marrë dhe 199 mostra për analiza laboratorike.

Nga kontrollet e kryera, janë asgjësuar 92.183 kg produkte që kanë rezultuar jashtë standardeve për konsum, ndërsa janë bllokuar 32.5 litra produkte të tjera për mungesë dokumentacioni.

Për shkeljet e konstatuara AKU-ja ka vendosur 7 masa administrative gjobë në vlerën 1.100.000  lekë, si dhe ka dhënë 102 masa administrative paralajmërime për mangësitë e evidentuara.

AKU-ja i bën apel subjekteve të respektojnë standardet dhe rregullat e sigurisë ushqimore, teksa njofton se vijon intensifikimi i kontrolleve në shkallë vendi në të gjitha subjektet tregtare ushqimore, magazina apo njësi të shërbimit ushqimor. (Irma)