ISHP: Në Shqipëri po qarkullon gripi i tipit “A”
2023-11-26 14:25:40

Foto:VCG

Foto:VCG

Instituti i Shëndetit Publik njoftoi se në Shqipëri zyrtarisht po qarkullon virusi i tipit A i gripit. ISHP-ja bëri të ditur ka izoluar në laboratorët e vet këtë variant nga mostrat e analizuara të pacientëve. Nga vëzhgimet e kryera, rezultoi se ky lloj virusi ka qenë prezent edhe gjatë verës, shkruan “RTSH”.

“Në këtë sezon kemi izoluar virusin e tipit A të gripit dhe jemi duke kryer nën tipizimin, por janë viruse të cilat bëjnë pjesë në shtamin i cili është i përfshirë në vaksinën ndaj gripit”,- deklaroi shefja e ISHP-së, Silva Bino.

Sipas saj, në vend po bashkëqarkullojnë gripi dhe Covid-i të cilët kanë simptoma të ngjashme dhe shpesh të ngatërrueshme, por deri tani nuk ka pasur raste të rënda.

Ajo njoftoi se simptomat e gripit janë rrufë, dhembje koke, temperaturë e lartë.

Ekspertët paralajmërojnë se sëmundshmëria nga gripi është e rrezikshme dhe mund të marrë jetë njerëzish.

Që nga fillimi i sezonit rezulton një interes i shtuar i popullatës për vaksinën e gripit. Sipas ISHP-së, më shumë se 60% e sasisë së vaksinave është tërhequr nga kategoritë në risk. (Irma)