Përçahet partia Syriza në Greqi
2023-11-25 15:10:54

Syriza (Foto ATSh)

Foto ATSh

Pesëdhjetë e shtatë anëtarë të Komitetit Qendror të opozitës kryesore greke, SYRIZA-Aleanca Progresive, përfshirë disa ish-ministra dhe deputetë, njoftuan largimin e tyre nga partia, me anë të një mesazhi publik.

Ata janë të gjithë anëtarë të fraksionit “Gjashtë plus gjashtë” të partisë opozitare në vend, shkruan “ATSH”.

Në deklaratën e tyre, ata kritikuan ashpër liderin e ri të partisë Stefanos Kasselakis, duke thënë se zgjedhja e tij ishte demokratike, por veprimet e tij të mëvonshme ishin antidemokratike.

“Ai po e copëton SYRIZA-Aleanca Progresive dhe po e shndërron atë në një parti pa formë, ndërsa në të njëjtën kohë mesazhi i tij politik transmeton një përzierje mendimesh kontradiktore pa asnjë thellësi programore”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se partia po zhytej në përçmim dhe përbuzje.

“Situata e krijuar brenda partisë nuk na lejon të mbrojmë, zbatojmë dhe rinovojmë programin dhe planin e politikave mbi bazën e të cilave kërkuam mbështetjen dhe votën e qytetarëve në zgjedhjet e fundit. Po ndërmarrin një hap që shikon nga e ardhmja, pasi ambicia jonë është të kontribuojmë në krijimin e një hapësire të majtë dhe progresive që do të formësojë përgjigjet dhe planin e politikave që adreson shqetësimet dhe shpresat e qytetarëve”,- thuhet në deklaratën.