Kryeministri Rama: Arsimi profesional, rrugë alternative e sigurt drejt punësimit
2023-11-25 14:16:58

Kryeministri Rama (Foto ATSh)

Kryeministri Rama (Foto ATSh)

Arsimi profesional është një rrugë alternative e sigurt për të rinjtë drejt punësimit, deklaroi kryeministri Edi Rama në një takim të organizuar mbi arsimin profesional dhe masat që po ndërmerr qeveria shqiptare për nxitjen e tij, shkruan “ATSH”.

Kryeministri Rama theksoi se duke pasur një zanat të rinjtë mund të gjejnë lehtësisht punë në një treg të etur, ku pagat po vazhdojnë të rriten ndjeshëm.

Kryeministri informoi se brenda muajit dhjetor, nxënësit e viteve të para të gjimnazeve, mund të transferohen lehtësisht në shkollat e arsimit profesional, nëpërmjet e-Albania.
“Është shumë e qartë që arsyet për të cilat arsimi profesional vazhdon mos të jetë në lartësinë e duhur të vëmendjes së prindërve dhe nxënësve janë më shumë se sa një, por nga ana tjetër është po kaq e qartë që në këtë fazë të zhvillimit të vendit, ne duhet të bëjmë një sforco të përbashkët për të kapërcyer pengesat që ngrihen, ose që janë ngritur gjatë gjithë rrugës për shkak të këtyre arsyeve”, u shpreh Rama.

Kryeministri deklaroi se situata me arsimin profesional është jo e dëshiruara për nevojat e vendit, por tashmë janë mundësitë të adresohet situata me më shumë agresivitet.

“Aktualisht ne duhet t’i nxisim dhe shtyjmë nxënësit që në numra të konsiderueshëm të integrohen në sistemin e arsimin profesional. Kushtet janë përmirësuar në mënyrë të ndjeshme. Duhet të zgjerojmë më tutje infrastrukturën e arsimit profesional, pro aktualisht kemi mjaftueshëm vend për fazën e parë e cila ka nisur por duhet të intensifikohet”,- tha kryeministri Rama. (Irma)