Zv.kryeministrja Balluku fton diasporën t’i bashkohet projekteve të qeverisë shqiptare
2023-11-25 14:17:56

Z.kryeministrja Balluku (Foto ATSh)

Z.kryeministrja Balluku (Foto ATSh)

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ftoi ekselentë nga diaspora t’i bashkohen projekteve të qeverisë në inovacion, teknologji dhe digjitalizim.

Në kuadër të Samitit të Diasporës, Balluku tha se kapitali njerëzor nuk është vetëm në Shqipëri i vlefshëm për vendin, por është i shpërndarë në të gjithë botën, shkruan “ATSH”.

“Edhe pse jemi komb i vogël, por kemi nxjerrë shumë shkencëtarë, artistë e sportistë të njohur. Ne duam që përmes programeve të përthithim kapitalin njerëzor nga diaspora”,-, tha zv.kryeministrja.

Ajo theksoi se sot Shqipëria krenohet me të gjitha hapat që ka hedhur në disa fusha, ku spikat digjitalizimi. Sipas saj, tashmë 99% e shërbimeve ofrohen online, duke zvogëluar burokracinë dhe duke ulur korrupsionin.

Përkrah digjitalizimit, ajo theksoi se është zhvilluar edhe Agjencia e Mbrojtjes Kibernetike, me një skuadër shumë të përgatitur.

Po ashtu, Balluku theksoi se inovacioni mbetet prioritet, pasi është dinamizëm që vjen nga rritja ekonomike.

Ajo theksoi se është ngritur edhe Agjencia e Inovacionit dhe Ekselencës, një agjenci e re që do t’i përgjigjen nevojave të secilit sektor. (Irma)