Kryebashkiaku i Tiranës: Jemi qytet model për menaxhimin e strehimit dhe emergjencave
2023-11-25 15:26:42

Kreybashkiaku Veliaj (Foto Panorama)

Kreybashkiaku Veliaj (Foto Panorama)

Buxheti i vitit të ardhshëm është një ndër më të mëdhenjtë në 8 vitet e fundit, me një 10-fishim në shifra, deklaroi kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, në dëgjesën e radhës për projektbuxhetin e vitit 2024, ku politikat sociale do të vijojnë të jenë në qendër të vëmendjes, shkruan “Panorama”.

“Mund të them me krenari se janë trajtuar me kredi të butë 3.651 familje, çifte të reja, që kanë blerë apartamentin e tyre dhe jetojnë në Tiranë. Për bonusin e strehimit, jemi ndoshta i vetmi qytet që e bëjmë, ndërkohë janë trajtuar në total 2307 familje, të cilave Bashkia e Tiranës u paguan qiranë e shtëpisë, në pamundësi që ata ta mbulojnë vetë me çmimet e tregut. Tirana sot po merret shembull edhe nga shumë qytete të tjera për faktin se si duhen menaxhuar emergjencat dhe jam vërtet krenar që kemi gjetur zgjidhjen më dinjitoze për 3.337 familje të mbetura pa strehë nga tërmeti, të cilat kanë përfituar po ashtu nga bonusi i qirasë”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se bashkia do të vijojë edhe vitin që vjen programin e banesave sociale. “Kemi 385 familje që jetojnë në banesat sociale në Shkozë. Duam që me këtë buxhet të ndërtojmë banesa sociale të tjera, të shpërndara nëpër qytet. Këtë vit kemi piketuar një hapësirë aty ku do të vendoset Poli i Drejtësisë, ku duam të ndërtojmë një kompleks tjetër të banesave sociale. Po ashtu, kemi edhe një hapësirë në Shkozë dhe në vendin ku ndahemi me Kamzën në Kodër-Kamëz, për t’u siguruar që të akomodojmë njerëz në lagje të ndryshme, por pa i zhvendosur nga komuniteti ku tashmë janë”, tha Veliaj.

Sipas tij, përveç 8 qendrave sociale që janë aktualisht në Tiranë, vitin e ardhshëm do të hapen edhe dy qendra të tjera në zona rurale.

Veliaj foli edhe për vijimësinë e bonusit social, ndihmës ekonomike, shportën e bebes dhe mbështetjen për personat me aftësi të kufizuara.

“Po ashtu, kemi disa programe të nxitjes së punësimit, sidomos për të rinjtë dhe të rejat. Ne duam që te Piramida, nga 1 janari, ta çojmë zero tarifën e TUMO-s, që çdo i ri, pavarësisht gjendjes ekonomike në familje, të mësojë punët digjitale dhe aftësimin digjital”,-tha kryebashkiaku i kryeqytetit shqiptar.

Veliaj theksoi se do të vijohet edhe me Fondin e Komunitetit, duke mbështetur edhe më shumë ato familje që nuk kanë mundësi financiare, në mënyrë që të shtohet numri i pallateve të vjetra me ashensor dhe veshje me kapot. (Irma)