Guvernatori Sejko: Konkurrenca e drejtë dhe e shëndoshë me rëndësi për ekonominë e një vendi
2023-11-25 15:08:40

Guvernatori i BSH (Foto RTSh)

Guvernatori i BSH (Foto RTSh)

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se në dy dekada, Autoriteti i Konkurrencës ka ndjekur një politikë që i stimulon kompanitë të ofrojnë produkte dhe shërbime në termat më të favorshëm për konsumatorët, duke nxitur transparencën, eficiencën, inovacionin dhe rrjedhimisht, uljen e çmimeve në treg, shkruan “RTSH”.

Në 20-vjetorin e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, guvernatori Sejko tha se pesha dhe kontibuti i Autoritetit të Konkurrencës janë sa të domosdoshme, aq edhe të pazëvendësueshme në jetën dhe zhvillimin e një vendi.

Sipas tij, një konkurrencë e drejtë dhe e shëndoshë ka një rol tepër të rëndësishëm në ekonominë e një vendi.

“Konkurrenca incentivon eficiencën e bizneseve në përdorimin e burimeve, duke sjellë uljen e kostove dhe rritjen e shitjeve. Rritja e eficiencës përkthehet në ulje të çmimeve. Ulja e çmimeve rrit, nga njëra anë, të ardhurat reale të konsumatorëve, duke nxitur kështu konsumin dhe, nga ana tjetër, motivimin e firmave për të investuar në inovacion dhe në ndërtimin e kapitalit njerëzor dhe financiar. Të gjitha së bashku kontribuojnë më tej e drejtpërdrejt në rritjen ekonomike”, theksoi ai.

Sipas Sejkos, të njëjtat efekte, si në sektorët e tjerë të ekonomisë, konkurrenca duhet t’i prodhojë edhe në sektorin financiar, duke kontribuuar në zgjerimin e gamës dhe cilësisë së produkteve dhe shërbimeve financiare të ofruara nga bankat, si dhe rritjen e aksesit në financë.

Sipas tij, zbatimi i politikës së konkurrencës në sektorin bankar mbetet një çështje e komplikuar.

Për të krijuar kushte sa më konkurruese në treg, ai tha se Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një sërë masash.

“Gjatë 10 viteve të fundit, sektori bankar ka përjetuar një konsolidim të shpejtë, ku numri i bankave në treg zbriti nga 16 në 11. Bankat e mesme kanë përthithur bankat e vogla, duke rritur në këtë mënyrë peshën e tyre në treg dhe duke zvogëluar varësinë e sektorit bankar nga bankat e mëdha”,- tha guvernatori Sejko, duke vënë në dukje se fuqizimi i kapitalizimit të sektorit bankar ndodhet në nivelin më të lartë historik, 19%, duke reflektuar një rritje të shëndoshë dhe administrim të kujdesshëm të rreziqeve nga sektori.

Sipas tij, dialogu i hapur dhe bashkëpunues midis dy institucioneve është një element kyç i një mjedisi rregullator pro-konkurrencë e që mbështet inovacionin. (Irma)