Tiranë, mbahet Samiti i Tretë i Diasporës
2023-11-24 20:06:41

foto: RTSH

foto: RTSH

Në Tiranë, u zhvillua sot Samiti i Tretë i Diasporës, me pjesëmarrjen e qindra shqiptarëve që jetojnë e punojnë larg vendlindjes së tyre, si dhe të personaliteteve politike të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.

Ata ftuan Diasporën që të sjellë në atdhe projekte dhe sipërmarrje për fuqizimin e demokracisë, për ekonominë dhe turizmin, si dhe për të zgjeruar bashkëpunimin mes shqiptarëve. Samiti i Tretë i Diasporës kishte në qendër të diskutimeve bashkërendimin e veprimtarive në dobi të zhvillimit të përbashkët të shqiptarëve. 

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se shteti shqiptar po përpiqet ta strukturojë marrëdhënien me Diasporën, për të rritur bashkëpunimin, në mënyrë që shqiptarët që jetojnë e punojnë jashtë të ndihen pjesë e vendit të tyre. 

Ndaj sipas tij, qytetarët shqiptarë jashtë vendit duhet të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar pa pasur nevojë të vijnë në Shqipëri. 

Kjo do të kthejë Diasporën në aktore të drejtpërdrejtë të konfigurimit politik e administrativ në Shqipëri, theksoi ai. “Diaspora duhet të ketë përfaqësim politik që do t’i japē zë prioriteteve të shqiptarëve jashtë vendit. 

Të gjithë këto janë procese, që nuk mund të përmbushen sa hap e mbyll sytë, por nuk janë objektiva të paarritshëm dhe mbi të gjitha janë nisma të domosdoshme që ne si shqiptarë të jemi bashkë edhe pse larg”, tha zoti Begaj. 

Në tubim shprehën mendimet e tyre politikanë të njohur nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Presheva. 

Të gjithë folësit në Samit bënë thirrje për bashkëpunim të ngushtë për forcimin e demokracisë, shtetit të së drejtës, për ekonomi dhe zhvillim kombëtar.