35 mësues të ciklit parauniversitar u trajnuan në fushën e Pronësisë Intelektuale
2023-11-24 17:19:46

Seminar per pronesine intelektuale (Foto Atsh)

Seminar per pronesine intelektuale (Foto Atsh)

Në kuadër të zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Pronësisë Intelektuale 2022-2025, u zhvillua në Tiranë seminari 4-ditor “IP4 Youth & Teachers”, ku 35 mësues të ciklit parauniversitar u trajnuan në fushën e pronësisë intelektuale, përcjell “ATSH”.

Ky aktivitetet u mbështet nga Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale (ËIPO) në bashkëpunim me Zyrën Koreane të Pronësisë Intelektuale (KIPO), dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Pronësisë Industriale.

Drejtoresha e përgjithshme e DPPI-së, Rovena Beqiraj, theksoi rëndësinë e këtij trajnimi për mësuesit e sistemit parauniversitar, si një indikator shumë i qëndrueshëm në edukimin e brezave të rinj në fushën e pronësisë intelektuale.

Gjatë trajnimit “IP4Youth &Teachers National Seminar: IP Impact Certificate Course (IPCC)”, mësuesit u njohën me konceptet dhe parimet kryesore të të drejtave të autorit dhe të drejtave të lidhura me të, njohuritë tradicionale, treguesit gjeografikë, markat tregtare dhe patentat për shpikje.

Përmes shembujve dhe ilustrimeve të ndryshme, mësuesit u udhëzuan nga ekspertët se si të nxisin krijimtarinë dhe sipërmarrjen te brezat e rinj, përmes pronësisë intelektuale, si të zhvillojnë strategjitë e duhura për të integruar edukimin e pronësisë intelektuale në leksionet e përditshme dhe si të bëhen pjesë e një komuniteti mbështetës dedikuar krijimtarisë në edukim. (Irma)