Presidenti Begaj: Diaspora, promotorja e kulturës dhe traditës shqiptare
2023-11-24 11:09:08

Deklarata ne Diten e Arberesheve (Foto Facebook Edi Rama)

Deklarata ne Diten e Arberesheve (Foto Facebook Edi Rama)

Në Tiranë u zhvillua Samiti i Diasporës, në kuadër të Ditës së Arbëreshëve, ku u mblodhën shqiptarë nga të gjitha anët e botës. Në fjalën e tij me këtë rast, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, deklaroi se diaspora është promotorja më eficiente e kulturës dhe identitetit kombëtar, kartvizita e shqiptarisë në botë, shkruan “ATSH”.

“Shqipëria është një vend gjeografikisht i vogël, por ju i keni dhënë një shtrirje globale shumë më të madhe se përmasat e saj. Sot komunitetet e shqiptarëve që gjenden edhe në vendet më të largëta të botës mishërojnë mbi të gjitha shpirtin e lirë të shqiptarit. Qindra mijëra shqiptarë të diasporës tashmë janë shndërruar në histori suksesi. Ju, në rrugën tuaj të mbushur me sakrifica, nuk e keni harruar kurrë Shqipërinë. Secili, sipas mundësive ka dhënë gjithmonë një kontribut për kombin”,- deklaroi presidenti Begaj.

Ai theksoi se përmes postit të Presidentit të Republikës do të vijojë të mbështesë punën e nisur nga institucionet shtetërore për shpërndarjen e librave shqip për komunitetet shqiptare në diasporë. Por, sipas tij, përdorimi i gjuhës shqipe del si nevojë e komunitetit për ta ruajtur atë, për të ruajtur kulturën dhe identitetin kombëtar, ndaj e cilësoi si parëson rolin e prindërve në përcjelljen e gjuhës shqipe te fëmijët.

Po ashtu, presidenti Begaj theksoi se diaspora duhet të këtë përfaqësim politik që do t’i japë zë prioriteteve të shqiptarëve jashtë vendit.

“Shqiptarët brenda e jashtë vendit kanë kontribuar njësoj për pavarësinë e Shqipërisë, për demokracinë, mirëqënien dhe avancimin e aspiratës për integrim në BE. Prandaj vetëm bashkë mund ta bëjmë Shqipërinë të zhvilluar, faktor vendimtar në rajon dhe anëtare të denjë në familjen evropiane. Kjo do të jetë pasuria më e madhe e secilit dhe kapitali që duhet t’i transmetojmë brezave të rinj në mënyrë që historia jonë të kthehet në histori suksesesh e ëndrrash të bëra realitet sa në vend aq dhe jashtë tij”,- deklaroi presidenti Begaj. (Irma)