1 në 4 të moshuar mbi 80 vjeç në Shqipëri, të kërcënuar nga izolimi
2023-11-23 11:29:00

Vetmia (Foto Zeri.info)

Vetmia (Foto Zeri.info)

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka klasifikuar vetminë si një kërcënim global. Sipas ekspertëve, efektet vdekjeprurëse të vetmisë janë të njëjta me dëmin e tymosjes së 15 cigareve në ditë, shkruan “RTSH”.

Eksperti Alban Ylli zbulon treguesit e vetmisë së të moshuarve në Shqipëri që në dekadën e fundit janë dyfishuar për shkak të urbanizimit, emigracionit dhe krijimit të familjeve më të vogla

“Në Shqipëri na rezulton se 1 në 4 të moshuar mbi 80 vjeç dhe 1 në 10 mbi 60 vjeç janë të izoluar. Pra, fenomeni po rritet me shpejtësi, por vendi ka ende kanale e mekanizma të komunikimit që e mbrojnë deri diku të moshuarin”,- tha Ylli.

Dëmet shëndetësore të vetmisë janë të frikshme. Degradimi fizik dhe mendor i personave të vetmuar është i shpejtë.

“Kanë risk për të vdekur më shpejt, problemet e shëndetit fizik janë më të shpeshta, sidomos ato kardiovaskulare dhe problemet e shëndetit mendor. Pra, të tre treguesit shkojnë keq tek individët që janë më të izoluar ose ndihen më të vetmuar. Vetmia ka çuar në ulje të lëvizjes. Të moshuarit që nuk përshkojnë dot 400 metra, apo një palë shkallë deri në katin e dytë pa ndihmë, kanë probleme për ulje të mobilitetit dhe kështu ata janë të prirë të humbin edhe kontaktet me të tjerët, pra shtohet izolimi. Këta elementë vendosen në një qark vicioz, çojnë në një rritje të depresionit dhe të gjitha bashkë çojnë në shkurtimin e jetës”,- deklaroi Ylli. (Elona)