Sondazhi: Më shumë se gjysma e shqiptarëve duan të emigrojnë
2023-11-23 16:04:36

Prezantimi  i sondazhit (Foto Panorama)

Prezantimi  i sondazhit (Foto Panorama)

Një sondazh kombëtar i kryer nga Instituti për Studime Ndërkombëtare në Shqipëri zbulon se më shumë se gjysma e shqiptarëve duan të emigrojnë në 5 vitet e ardhshme, shkruan “Panorama”. Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare prezantoi në një tryezë të rrumbullakët gjetjet e sondazhit kombëtar mbi perceptimet, tendencat dhe pritshmëritë e shqiptarëve në lidhje me migracionin.

Albert Rakipi, drejtor i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare, e quajti valën aktuale të emigracionit si një kërcënim të sigurisë në vetvete, duke e krahasuar me dy valët e mëparshme të viteve ’90 dhe ’97, që ishin thjesht simptoma të një shteti të dobët.

“Për të parën herë, emigracioni po kthehet në një kërcënim të sigurisë në vetvete. Vetëm përgjatë dekadës së fundit 400 mijë shqiptarë janë larguar nga vendi”, - tha Rakipi gjatë fjalës së tij.

Studimi me titullin: “Emigracioni, shpopullimi dhe destabiliteti: kriza e heshtur”, i kryer në bashkëpunim me fondacionin “Hanns Seidel Stiftung” gjatë muajit prill, përfshiu 1200 pjesëmarrës nga Shqipëria dhe hedh dritë mbi dëshirat, aspiratat dhe planet e tyre në lidhje me emigrimin.

Gjetjet e studimit tregojnë një dëshirë të madhe të shqiptarëve për t’u larguar nga vendi nëse do t’u jepej mundësia.

“Rreth 70% e të intervistuarve kanë deklaruar se do të emigronin nga Shqipëria nëse do ta kishin mundësinë, teksa 28% e tyre kanë menduar ta lënë përgjithmonë vendin”, - tregojnë gjetjet e studimit.

Sipas autorit të sondazhit, Andi Balla, shifra më shqetësuese është pikërisht ajo pjesë e popullsisë që ka shumë gjasa të largohet nga vendi brenda një viti.

“19% e atyre që kanë shprehur dëshirën për t’u larguar kanë shumë gjasa të largohen realisht brenda 12 muajve”, - theksoi Balla.

Sondazhi zbuloi se prej arsyeve kryesore që i shtyn qytetarët shqiptarë të largohen nga Shqipëria drejt një destinacioni tjetër renditet “kërkimi për një jetë më të mirë”.

Sondazhi gjithashtu tregon se rreth 54% e të intervistuarve e shohin veten jashtë Shqipërisë në pesë vitet e ardhshme. (Elona)