Presidenti maqedonas: Gjuha shqipe, ndër shtyllat më të rëndësishme të identitetit kulturor dhe shpirtëror të shqiptarëve
2023-11-23 11:12:53

Pendarovski (Foto ATSH)

Pendarovski (Foto ATSH)

Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, me rastin e 22 nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, u dërgoi një mesazh urimi pjesëtarëve të bashkësisë etnike shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, shkruan “ATSH”.

“Para 115 vjetësh pikërisht në Manastirin tonë ndodhi unifikimi i alfabetit të gjuhës shqipe, si një hap kyç në kodifikimin e gjuhës shqipe, që është padyshim një nga shtyllat më të rëndësishme të identitetit kulturor dhe shpirtëror të shqiptarëve”, theksoi Pendarovski në urim.

Presidenti tha se në fillim të shekullit XX, në Perandorinë Otomane, intelektualët më të shquar shqiptarë nga e gjithë bota u mblodhën në një kongres, i cili rezultoi me vendimin historik për miratimin e alfabetit të gjuhës shqipe.

“Frytet e këtij akti thelbësor politik dhe kulturor i gëzojnë të gjithë shqiptarët kudo që janë. Ne jemi krenarë që sot bashkësia shqiptare është pjesë e pandashme e Republikës shumetnike dhe shumëkulturore të Maqedonisë së Veriut. Duke dërguar urimin më të sinqertë që festën ta kalojmë në paqe, shëndet, gëzim dhe mirëqenie, uroj edhe njëherë t’i konfirmojmë bindjet e përbashkëta për solidaritet dhe barazi, si kyçe për prosperitetin e atdheut tonë të përbashkët”,- theksohet në urimin e presidentit maqedonas. (Elona)