Sondazh i Eurostat-it: Rreth 55% e shqiptarëve e perceptojnë veten të varfër, renditet të dytët në Evropë
2023-11-22 17:32:15

Varferia (Foto Albinfo)

Varferia (Foto Albinfo)

Më shumë se gjysma e shqiptarëve (55.3%) e konsiderojnë veten subjektivisht të varfër, sipas një sondazhi të publikuar nga Eurostat-i për vitin 2022, por që të dhënat e Shqipërisë janë deri në vitin 2021, shkruan “Panorama”.

Shqiptarët renditen të dytët më të varfrit e Europës, me mbi dy herë më shumë se mesatarja e BE-së (24.8%). Vendin e parë e mbajnë grekët, 68% e të cilëve kanë deklaruar se ndihen subjektivisht të varfër.

Treguesit subjektiv të varfërisë bazohen në rezultatet nga statistikat e Bashkimit Europian (BE) mbi të ardhurat dhe kushtet e jetesës (EU-SILC), një mbledhje e të dhënave që kryhet në të gjithë Shtetet Anëtare të BE-së, si dhe në shumicën e vendeve kandidatëve. Treguesit përdorin si bazë informacionin mbi aftësinë për të përballuar jetesën.

Nga vendet e rajonit, më pak të varfër ndihen serbët me 44% që e perceptojnë se janë të varfër, po për vitin 2021, Maqedonia e Veriut me 47.2%, Kosova 47.3 (për vitin 2019), Mali i Zi me 50.1%.

Sa më i ulët niveli arsimor, aq më e lartë është varfëria e perceptuar, teksa 66.8% e personave me arsim të ulët e konsiderojnë veten të varfër, nivele të ngjashme këto me vendet e rajonit, sipas sondazhit. Për ata që kanë arsim të mesëm, shifra është 50.9%.

Për personat me arsim të lartë, treguesi përmirësohet dukshëm, një dukuri që konstatohet për të gjitha shtetet, me 28.3% të tyre që e konsideronin veten subjektivisht të varfër. Më mirë në rajon janë të arsimuarit e Serbisë, me 22.2%.

Gjithsesi, në krahasim me mesataren europiane prej 9.2%, të arsimuarit shqiptarë ndihen tre herë më të varfër. Të arsimuarit shqiptarë (28.4%) ndihen pothuajse njësoj të varfër me shtetasit e Bashkimit Europian me arsim fillor (29.5%). (Irma)