U zhvillua në Tiranë Forumi i parë Kombëtar për Cilësi dhe Standarde
2023-11-22 18:06:26

Siguria ushqimore (Foto Atsh)

Siguria ushqimore (Foto Atsh)

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural së bashku me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim Industrial (UNIDO) zhvilluan në Tiranë Forumin e parë Kombëtar për Cilësi dhe Standarde.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, së bashku me ambasadoren e Zvicrës në Tiranë, Ruth Huber, dhe përfaqësuesen e OKB-së në Shqipëri, Fiona McCluney, hapën punimet e forumit, ku të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve të linjës, ekspertë të fushës dhe aktorë që operojnë në sektorin e bujqësisë, shkruan “ATSH”.

Ministrja Denaj deklaroi se rritja e cilësisë dhe standardeve të produkteve bujqësore mbetet thelbësor në zhvillimin e qëndrueshëm të prodhimit agroushqimor; integrimin e inovacionit në bujqësi, bashkimin e operatorëve dhe realizimin e objektivit prej 1 miliard dollarë eksporte shqiptare në vitin 2030.

Sipas saj, vitet e fundit, Shqipëria ka përjetuar një transformim të thellë ekonomik, duke shënuar rritje të ndjeshme në sektorin bujqësor dhe një zgjerim të dukshëm të turizmit me ndikim të drejtpërdrejtë edhe në ekonominë bujqësore.

Ministrja Denaj theksoi se rritja eksponenciale e numrit të turistëve krijoi një kërkesë të shtuar për produkte ushqimore që u përballua me shumë sukses nga prodhimi vendas.

Denaj vlerësoi Programin Global të Cilësisë dhe Standardeve (GSQP) në Shqipëri, të mbështetur nga qeveria zvicerane, që ka qenë i rëndësishëm në forcimin e cilësisë dhe ka rritur në mënyrë të qëndrueshme aksesin në treg të SME-ve në sektorët e bimëve aromatike dhe fruta perimeve, që kryesojnë në eksportet “Made in Albania”.

Ministrja theksoi angazhimin e qeverisë për mbështetje buxhetore të sektorit në drejtim të rritjes së cilësisë dhe standardeve.

Ajo u ndal në domosdoshmërinë strategjike për harmonizimin e infrastrukturës tonë të cilësisë me standardet ndërkombëtare, për të siguruar konkurrencën dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të sektorit  agro-ushqimor.

“Së bashku me biznesin, ne jemi të përkushtuar për të ngritur sektorin agro-ushqimor të Shqipërisë në lartësi të reja. Për biznesin kjo është një domosdoshmëri edhe pse një kosto në vitet e para, por e bindur që vlerësohet si një investim për produktivitet në afatmesëm”, deklaroi Denaj.

Programi GQSP është pjesë e një nisme globale që mbështet 12 vende në mbarë botën, për të rritur potencialin e prodhimit vendas dhe për të rritur cilësinë dhe standardet e sigurisë. Zbatimin e bën Organizata e Kombeve të Bashkuar për Zhvillim Industrial (UNIDO) dhe financohet nga shteti zviceran, përmes Sekretariatit Shtetëror për Çështje Ekonomike (SECO). (Irma)