Eurostat: Inflacioni në tetor në Shqipëri, shumë më i lartë se në BE
2023-11-22 18:44:59

Inflacioni (Foto Standard.al)

Inflacioni (Foto Standard.al)

Inflacioni ka nisur të stabilizohet në Europë, por në Shqipëri po ndodh e kundërta. Çmimet po rriten në mënyrë të qëndrueshme, duke reflektuar problemet strukturore të ekonomisë vendase, sidomos sektorit të prodhimit.

Indeksi i Çmimeve të Harmonizuar, një metodologji e Eurostat-it, tregoi se inflacioni në Shqipëri gjatë muajit tetor ishte 4.7 për qind, shumë më i lartë se ai mesatar në BE që ishte 3.6 për qind, shkruan “Panorama”.

Gjithashtu treguesi rezultoi shumë i lartë se matjet kombëtare nga IÇK-ja që në tetor ishte 3.8%.

Në tetorin e vitit të kaluar IÇK-ja në Shqipëri ishte 8%, ndërsa në BE ishte 11.5 për qind.

Por teksa inflacioni në Europë ku ulur ritmet për shkak të stabilizimit të çmimeve të energjisë, që ishin shkaktari kryesor, Shqipëria, që vjet renditej në mesin e shteteve me rritjen më të ulët të çmimeve tani po shkon në krahun tjetër me inflacion të lartë.

Në janar të vitit 2023, IÇK-ja në BE ishte gati 3 pikë përqindje më e lartë se në Shqipëri, përkatësisht 10 dhe 7.1%. Kjo diferencë ishte e dukshme deri në muajin qershor kur nisi të ngushtohej, teksa çmimet në BE ulën ritmet e rritjes, ndërsa në Shqipëri po bëheshin të qëndrueshme.

Në shtator IÇK-ja u barazua me BE-në dhe në tetor çmimet në Shqipëri u rriten 1.1 për qind më shumë se në BE.

Inflacioni në Shqipëri po krijohet nga faktorët e brendshëm dhe sidomos nga oferta e cunguar e prodhimeve bujqësore, e cila po e bën më të shtrenjtë shportën e ushqimeve, që është formuesi kryesor i inflacionit në vend. (Irma)