Ministrja Ibrahimaj: Të forcojmë bashkëpunimin për përmirësimin e klimës së biznesit
2023-11-22 17:50:38

Ministrja Delina Ibrahimaj (Foto Facebook Delina Ibrahimaj)

Ministrja Delina Ibrahimaj (Foto Facebook Delina Ibrahimaj)

Në një prej aktiviteteve të organizuara në disa qytete të Shqipërisë, në kuadër të Javës Globale të Sipërrmarjes, ministrja e shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, kërkoi forcimin e bashkëpunimit mes aktorëve të shumtë në funksion të zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të klimës së biznesit, shkruan “RTSH”.

Sipas ministres, nevojitet konkretizim i të gjitha nismave të ndërmarra, për krijimin e një ekosistemi të qëndrueshëm që garanton rritje ekonomike të qëndrueshme.

Ministrja theksoi se Java Globale e Sipërrmarjes në Shqipëri ia arriti qëllimit për të bashkuar në tryeza të përbashkëta aktorë të ndryshëm të ekonomisë së vendit, për të nxitur diskutime dhe iniciativa, të cilat do të jenë pjesë e planeve të punës së politikëbërjes në vijim.

Në këtë javë, sipas organizatorëve, të gjitha eventet shërbyen për një platformë për sipërmarrësit, drejtuesit e biznesit dhe politikëbërësit që të bashkohen dhe të shkëmbejnë ide, të nxisin partneritete dhe prosperitetin ekonomik.

Në këtë javë botërore të biznesit u angazhuan përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, përfaqësues nga shoqatat e biznesit dhe institucione shtetërore, etj të cilat kontribuan në organizimin e Javës Ndërkombëtare të Sipërmarrjes në vendin tonë.

Një javë e tillë zhvillohet në mbi 180 vende në të gjithë botën. (Irma)