Seminari mbi verërat diskutoi mbi rolin vendimtar të Regjistrit të Vreshtave në Shqipëri
2023-11-22 18:08:06

Vreshta (Foto Atsh)

Vreshta (Foto Atsh)

“FAO Albania” zhvilloi në Tiranë seminarin në kuadër të projektit “Integrimi në BE dhe Mbështetja e Politikave në Bujqësi dhe Zhvillim Rural”, ku u diskutua edhe mbi sistemin e kontrollit të cilësisë së verërave dhe përditësimin aktiv të Regjistrit së Vreshtave në Shqipëri, shkruana “ATSH”.

Ekspertët e Qendrës së Transferimit të Teknologjisë Bujqësore në Fushë-Krujë dhe “FAO Albania” theksuan rolin vendimtar të Regjistrit të Vreshtave.

Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Enio Civici, e vlerësoi këtë fazë konstruktive, duke theksuar anëtarësimin e Shqipërisë në Organizatën Botërore të Verërave dhe Vreshtarisë, pjesëmarrjen aktive në panele shkencore, marrjen e ekspertizës dhe njohurive në sektorin e vreshtarisë dhe verërave.

“Vendi ka bërë përparim të konsiderueshëm në përshtatjen e Ligjit për Vreshtari dhe Verës, duke u përafruar me rregulloret e Bashkimit Evropian”, tha Civici.

Seminari përfshiu një sesion produktiv me pyetje-përgjigje dhe ofroi njohuri të vlefshme në koordinimin e aktiviteteve në lidhje me mbikëqyrjen, inspektimin dhe zbatimin e Ligjit për Vreshtari dhe Verës, si dhe prodhimin e pijeve alkoolike.

Diskutimet mbuluan edhe Regjistrin e Vreshtave, duke theksuar rëndësinë e tij, ndërtimin, deklaratat vjetore, regjistrimin, përditësimin e ndryshimeve dhe funksionalitetin e përgjithshëm të sistemit. (Irma)