Mbështetja për gratë kryefamiljare vijon edhe në buxhetin 2024
2023-11-21 17:50:10

Buxheti per grate (Foto Ministria e Shendetesise)

Buxheti per grate (Foto Ministria e Shendetesise)

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, njoftuan përmes postimeve në rrjetet sociale, se mbi 8000 gra kryefamiljare me tre ose më shumë fëmijë të moshës deri në 18 vjeç do të përfitojnë nga programet e mbrojtjes sociale edhe me buxhetin e vitit 2024, citon “ATSH”.

Aplikimi dhe verifikimi për përfshirje në programin e veçantë të subvencionit nga shteti për pagesat e sigurimit të detyrueshëm shoqëror dhe shëndetësor bëhet në mënyrë elektronike, përmes shërbimit elektronik qeveritar e-Albania.

Lista e përfituesve do të gjenerohet nëpërmjet Regjistrit Kombëtar Elektronik të Ndihmës Ekonomike në nivelin qendror të Shërbimit Social Shtetëror.

Paketa e Mbrojtjes Sociale 2024 parashikon gjithashtu skemën për mbështetjen e 161.000 personave me aftësi të kufizuar dhe kujdestarëve të tyre, të cilët do të përfitojnë pagesa nga fondi prej 17.9 miliardë lekë.

Po ashtu, përfitues nga skema do të jenë edhe 64 mijë familje ose individë me probleme ekonomike.  (Fatosi)