Deregulimi, Manja: Përmirësojmë procedurat dhe shërbimet publike duke eliminuar dokumentet
2023-11-19 14:47:29

Ulsi Manja (Foto ATSH)

Ulsi Manja (Foto ATSH)

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në fjalën e tij në konferencën me përfaqësues nga 100 biznese të huaja njoftoi iniciativën e qeverisë për deregulimin, që sipas tij do të përmirësojë procedurat dhe shërbimet publike, duke eliminuar lejet, licencat, autorizimet e panevojshme që institucionet shtetërore kërkojnë në këmbim të ofrimit të shërbimeve, bën të ditur “RTSH”.

Manja theksoi se çdo dokument që administrata mund ta sigurojë vetë nuk do t’u kërkohet më qytetarëve apo bizneseve.

“Ky proces po udhëhiqet nga Ministria e Drejtësisë, dhe ministri i Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit dhe janë angazhuar të gjitha institucionet shtetërore që ofrojnë shërbime publike.

Çdo dokument që administrata mund ta sigurojë vetë nuk do të kërkohet nga qytetarët dhe bizneset”, - tha Manja.

Më tej ministri shtoi se ka ende shumë punë për t’u bërë për rrënjosjen e integritetit në institucionet publike. Manja bëri me dije se në dy vite nga krijimi i saj, Drejtoria e Përgjithshme Antikorrupsion ka rekomanduar 503 masa administrative dhe u janë dërguar institucioneve 235 rekomandime, si dhe 46 kallëzime në Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe SPAK-ut. (Elona)