Michel: Zgjerimi i BE-së me Ballkanin Perëndimor është në krye të axhendës
2023-11-19 14:36:35

Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel/ foto nga CFP

Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel, deklaroi se zgjerimi i Bashkimit Evropian (BE) me Ballkanin Perëndimor është në krye të axhendës.

“Jam i bindur se rruga europiane për vendet e Ballkanit Perëndimor është hapi më i rëndësishëm për paqen”,- tha Michel në një konferencë të përbashkët shtypi në Zagreb me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç.

Sipas tij, kjo lëvizje është një investim për paqen dhe mirëqenien e kontinentit, shkruan “Xinhua”.

Plenkoviç tha se Kroacia e mbështet zgjerimin e BE-së. “Ne jemi përkrahës të zgjerimit me fqinjët tanë, pasi kjo garanton paqen, sigurinë, stabilitetin dhe marrëdhëniet më të mira të ndërsjella”,- tha ai, duke theksuar se Kroacia do të bëjë gjithçka për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor për t'u bashkuar me BE-në.

Në gusht, Michel tha në Forumin Strategjik të Bledit, në Slloveni, se BE-ja duhet të jetë gati për zgjerimin e saj të ardhshëm deri në vitin 2030. (Elona)