Buxheti 2024, Koçiu: Mbështetje për depistimin e shikimit dhe kujdesit dentar për rreth 220 mijë fëmijë
2023-11-19 14:37:38

Me buxhetin e vitit 2024, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të mbështesë programin e depistimeve të shikimit dhe kujdesit dentar në shkolla për rreth 220 mijë fëmijë.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Koçiu tha se mbi 173 mijë fëmijë kanë përfituar nga fillimi i këtij viti, nga Programi Kombëtar i Shikimit.

Ky program u zbatua për herë të parë në vitin 2022 dhe garanton kujdesin për shikimin e fëmijëve që nga të porsalindurit deri te fëmijët e moshës 14 - vjeçare, duke ofruar një kontroll periodik të syve.

Programi përfshin tri etapa, ai nis me aplikimin e menjëhershëm te të porsalindurit, ku do të bëhet një vlerësim që në lindje të fëmijëve dhe më pas në gjashtëmujorin e dytë të jetës do të ketë një rivlerësim të dytë në strukturat e kujdesit shëndetësor.

Ndërkohë, për të gjithë ata fëmijë që do të rezultojnë me problematika në shikimin do të ketë një referencë për mjekun specialist në strukturat shëndetësore.

Ky program synon të ketë fokusin te parandalimi, edukimi duke ofruar shërbime të reja socio-shëndetësore në strukturat e arsimit, pra do të jetë një program i integruar në shkollë. (Elona)