MAS: Ditën e hënë, ora e parë në të gjithë shkollat do t’i kushtohet ndërgjegjësimit për të drejtat e fëmijëve
2023-11-19 14:53:07

Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve  (Foto ATSH).

Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve  (Foto ATSH).

Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve në 20 nëntor, ditën e hënë, në të gjitha shkollat e Shqipërisë, ora e parë e mësimit do t’i kushtohet respektimit dhe ndërgjegjësimit për të drejtat e fëmijëve, me qëllim rritjen e informimit dhe ndërgjegjësimit të të rinjtë dhe fëmijët për të drejtat e tyre, ka njoftuar Ministria e Arsimit.

Në 1959-n, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Deklaratën e të Drejtave të Fëmijëve.

Po më 20 nëntor të vitit 1989 kjo Asamble miratoi Konventën e të Drejtave të Fëmijëve. Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve është traktati më i pranuar botërisht për të drejtat e njeriut në histori, shkruan “ATSH”.

Kjo ditë festohet çdo vit në 20 nëntor për të promovuar bashkimin ndërkombëtar, ndërgjegjësimin e fëmijëve në mbarë botën dhe përmirësimin e mirëqenies së fëmijëve.

Konventa e të Drejtave të Fëmijëve ndryshoi mënyrën se si fëmijët shikohen apo trajtohen. Fëmijët nuk shikohen më si një “pronë” e prindërve. Ata nuk janë të pambrojtur dhe nuk janë objekt për bamirësi.  (Elona)