Prof. Dr. Ke Jing, e para anëtare nderi e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në Azi
2023-11-18 16:33:13

Kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi i jep titullin Prof. Dr. Ke Jing (Foto CMG)

Kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi i jep titullin Prof. Dr. Ke Jing (Foto CMG)

Asambleja e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nderoi të enjten, përmes një ceremonie të posaçme, me titullin anëtare nderi, Prof. Dr. Ke Jing, albanologe e shquar dhe një ndër drejtueset e katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit (BFSU) për vite me radhë. Në ceremoni ishin të pranishëm akademikë shqiptarë, i ngarkuari me punë i Ambasadës së Kinës Wang Dexin, një delegacion nga Universiteti i Gjuhëve të Huaja të Pekinit, i kryesuar nga zëvendësrektori Jia Dezhong, si dhe dekanë të këtij universiteti, drejtori i Institutit Konfuci në Tiranë, Erion Malaj dhe miq të profesores Ke Jing.

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Prof. Skënder Gjinushi, i akordoi Prof. Dr. Ke Jing titullin e lartë të anëtares së nderit të këtij institucioni akademik. Ai theksoi se Prof.Dr.Ke Jing e ka lidhur jetën e saj profesionale me gjuhën shqipe, Shqipërinë dhe shqiptarët. Motivacioni për këtë titull është: “Albanologe e njohur në studime të thelluara cilësore për çështje të historisë së letërsisë, gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar, nismëtare dhe drejtuese e suksesshme për njohjen dhe promovimin e trashëgimisë dhe qytetërimit shqiptar në vendin e saj”.

Prof. Dr Ke Jing (Foto CMG)

Prof. Dr Ke Jing (Foto CMG)

Me emocione, Prof. Dr. Ke Jing iu drejtua të pranishmëve me falënderime për dhënien e këtij statusi të lartë nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë.

“Qysh prej vitit 1985, kur nisa studimet e gjuhës shqipe në Universitetin e Prishtinës, jam lidhur përjetësisht me këtë gjuhë magjike. Jam shumë mirënjohëse ndaj Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ndaj të gjithë miqve që më kanë inkurajuar dhe ndihmuar, si dhe ndaj atdheut tim, që më ka krijuar kushte të mira studimi dhe pune”,- tha  Prof. Dr. Ke Jing.

Ajo i njohu të pranishmit me punën që bëhet nga katedra e gjuhës shqipe e Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit për fjalorin shqip-kinezisht dhe kinezisht-shqip, duke vlerësuar arritjet në këtë drejtim.

Zv

Zv,rektori i BFSU Jia Dezhong (Foto CMG)

Zëvendësrektori i Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit, Jia Dezhong, tha në fjalën e tij se ndodhet në Shqipëri për të marrë pjesë në 10-vjetorin e Institutit Konfuci në Tiranë, si dhe në këtë ceremoni për nder të Prof. Dr. Ke Jing. Ai vlerësoi shkëmbimet akademike dhe arsimore midis Kinës dhe Shqipërisë dhe kontributin e Prof.Dr.Ke Jing dhe të katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit.

Marrjen e statusit të anëtares së nderit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nga albanologia e shquar kineze Ke Jing e përshëndetën akademikët Emil Lafe, Floresha Dado dhe rektori i Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës, Prof. Roland Zili.

Posteri i ceremonis毛 (Foto CMG)

Posteri i ceremonisë (Foto CMG)

Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës, Prof. Dr. Ke Jing shprehu emocionet për marrjen e këtij statusi të rëndësishëm nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, duke theksuar se ky titull u takon edhe albanologëve të tjerë në Kinë dhe në mënyrë të veçantë katedrës së gjuhës shqipe pranë Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit (BFSU).

Prof. Dr. Ke Jing është nderuar në Shqipëri në vitin 2016 nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë me “Mirënjohje e veçantë”. Në 2018-n, në përfundim të Konferencës për përvjetorin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, kryeministri Edi Rama i akordoi “Medaljen e Mirënjohjes”, duke vlerësuar punën e katedrës së gjuhës shqipe në Pekin, të drejtuar prej saj. Aktualisht Prof. Dr. Ke Jing është dekane e Fakultetit të Gjuhëve dhe Kulturave Europiane në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit (BFSU).(Eda Merepeza)