INSTAT: Mbyllet censusi i popullsisë dhe banesave, verifikime në terren deri më 24 nëntor
2023-11-18 16:42:37

Censusi (Foto ATSH).

Censusi (Foto ATSH)

Procesi i regjistrimit të popullsisë dhe banesave, i nisur më 18 shtator, ka përfunduar. Instituti i Statistikave njoftoi ndërkohë se stafi i tij po vazhdon punën për verifikimin në terren të statusit të banesave dhe refuzimeve, deri në datë 24 nëntor, shkruan “ATSH”.

Për vlerësimin e cilësisë së procesit dhe mbulimin, prej datës 20 nëntor – 20 dhjetor 2023, INSTAT do të organizojë anketën pas censit, sipas rekomandimeve të Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, në 100 zona numërimi, të shpërndara në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Ky proces do të angazhojë 100 anketues dhe 25 kontrollorë, të cilët do të trokasin përsëri në dyert e qytetarëve, në zonat e përzgjedhura.

Grumbullimi i të dhënave fillimisht ishte parashikuar të zgjaste 6 javë për të përfunduar në fund të tetorit, por INSTAT-i, bazuar në ecurinë e procesit, vendosi që afati të zgjatej deri më 15 nëntor.

Informacionet e marra nga regjistrimi do t’i shërbejnë komunitetit dhe autoriteteve vendimmarrëse për të prodhuar e pasur informacion mbi statistikat social-ekonomike, ndryshimet demografike që kanë ndodhur, kushtet e banimit të popullsisë rezidente në territorin e Republikës së Shqipërisë, pra një informacion i një rëndësie të lartë. Të dhënat e përfituara nga regjistrimi i vitit 2023 do të publikohen në qershor 2024. (Elona)