Shqipëri – Moldavi, marrëveshje për bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar
2023-11-18 16:52:27

Taulant Balla dhe Adrian Efros (Foto ATSH)

Taulant Balla dhe Adrian Efros (Foto ATSH)

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, në një vizitë zyrtare në Moldavi ka zhvilluar takim me homologun e tij, Adrian Efros, me të cilin firmosi një marrëveshje për bashkëpunimin policor mes dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, gjatë takimit ministri Balla dhe homologu i tij Efros u dakordësuan mbi thellimin e bashkëpunimit ekzistues midis dy vendeve në të gjitha çështjet me interes të përbashkët, citon “RTSH”.

“Diskutuam mbi aspiratën e kahershme të dy popujve tanë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe gatishmërinë për të intensifikuar shkëmbimin e eksperiencave në kuadër të reformave të ndërmarra përgjatë procesit të integrimit europian”, - theksoi Balla.

Në fjalën e tij, ministri Balla tha se marrëveshja e firmosur mbi bashkëpunimin policor është një hap i rëndësishëm për të rritur operacionet e përbashkëta policore dhe adresuar çështjet me rëndësi, si krimi ndërkufitar, lufta kundër krimit të organizuar, trafikimit të lëndëve narkotike dhe qenieve njerëzore në funksion të rritjes së sigurisë së qytetarëve. (Elona)