Numri i shqiptarëve që duan të emigrojnë, më i larti në Ballkan
2023-11-17 16:55:35

Udhetarë (Foto Panorama)

Udhetarë (Foto Panorama)

Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, sidomos Shqipëria, duhet të alarmohen nga niveli i lartë i popullatës që kërkon të emigrojë në mënyrë të përhershme, tha Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, pas analizës së rezultateve të anketës së Barometrit të Sigurisë për vitin 2023. Rezultatet e anketës, që u zhvillua në maj-qershor 2023 në 6 vendet të Ballkanit Perëndimor, evidentuan se Shqipëria, megjithëse ka përjetuar deri tani emigracion më të fortë se rajoni, ende ka potencial të lartë të largimit nga vendi, sidomos për të rinjtë e arsimuar, shkruan “Panorama”.

Anketa tregoi se 31 për qind e shqiptarëve planifikojnë të largohen nga vendi. Por më rëndësishmja është se 18 për qind e tyre tashmë kanë plane dhe kanë gjetur mënyrat për të ikur.

Rezultatet tregojnë se emigracioni në Shqipëri është më agresiv se në vendet e tjera pasi, në një përqindje më të madhe, shqiptarët nuk dëshirojnë të emigrojnë përkohësisht, por përgjithmonë. Nga pjesa e shqiptarëve që kanë shprehur dëshirën për të ikur, pothuajse 44 % duan të emigrojnë në mënyrë të përhershme, niveli më i lartë në rajon.

Ata që synojnë të largohen, në përgjithësi, përqendrohen në grupin aktiv të punës 18-44 vjeç, ndërsa ata që nuk duan të largohen dominojnë grupin 45-65+ të popullatës. (Elona)