Peleshi: Shqipëria do të vijojë të kontribuojë për sigurinë e paqen në rajon
2023-11-17 11:29:03

Ministerliali në Shkup (Foto ATSH)

Ministerliali në Shkup (Foto ATSH)

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, mori pjesë në Ministerialin e Mbrojtjes në kuadër të iniciativës rajonale SHBA-Karta e Adriatikut (A5), që u kryesua nga Maqedonia e Veriut.

Në fokus të diskutimeve ishin çështjet aktuale të sigurisë dhe mbrojtjes së rajonit të Ballkanit dhe më gjerë, shkruan “ATSH”.

Në një sesion të dedikuar iu kushtua një rëndësi e veçantë angazhimit në kuadër të kësaj iniciative, implementimit të konceptit të rivitalizimit të kartës së Adriatikut, angazhimit të përbashkët në misionet e NATO-s për ruajtjen e sigurisë dhe mbështetjen e paqes, bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes si dhe kontributit në sigurinë globale.

Peleshi, gjatë fjalës së tij u shpreh se Shqipëria do të vijojë të kontribuojë për stabilitetin, sigurinë dhe paqen në rajon, të cilat arrihen duke promovuar dialogun politik, fqinjësinë e mirë si dhe adresimin e çështjeve të nxehta dypalëshe ose shumëpalëshe, bazuar dhe në respekt të marrëveshjeve dhe legjislacionit ndërkombëtar, pasi rajoni i Ballkanit Perëndimor është një faktor kyç gjeostrategjik për NATO-n dhe Bashkimin Europian.

Duke qenë se kryesimin e SHBA-Karta e Adriatikut për vitin 2024 do ta marrë Shqipëria, ministri Peleshi u garantoi vendeve pjesëmarrëse se Ministria e Mbrojtjes do të jetë tërësisht e angazhuar që të përmbushë të gjitha detyrimet ndaj kësaj iniciative, të rrisë vizibilitetin dhe rëndësinë e Kartës së Adriatikut, të promovojë “politikën e dyerve të hapura”, si një nga principet themelore të këtij angazhimi rajonal. (Elona)