Xi Jinping: Konkurrenca mes vendeve të mëdha nuk mund të zgjidhë problemet
2023-11-16 11:48:06

Të mërkurën sipas kohës vendore, presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij amerikan Joe Biden zhvilluan një takim në rezidencën Filoli në San-Francisko. 

Presidenti Xi vuri në dukje se Kina dhe ShBA-ja kanë dy alternativa në këtë epokë transformimesh globale të papara në një shekull. Alternativa e parë është forcimi i solidaritetit e i bashkëpunimit, për të përballuar sfidat globale dhe për të promovuar sigurinë e lulëzimin global. Ndërsa alternativa tjetër është ndjekja e mendësisë së “lojës ku fituesi i merr të gjitha” dhe provokimi i rivalitetit e i kundërvënies, duke e çuar botën drejt trazirave dhe ndarjeve. Këto dy zgjedhje të çojnë në dy drejtime të ndryshme, që do të vendosin të ardhmen e njerëzimit dhe të planetit tonë. Marrëdhëniet kino-amerikane, të cilat janë marrëdhëniet më të rëndësishme dypalëshe në botë, duhet të perceptohen dhe të vështrohen mbi bazën e këtij konteksti të gjerë. Kina dhe ShBA-ja nuk mund t’ia kthejnë shpinën njëra-tjetrës dhe nuk duhet të përpiqen ta ndryshojnë njëra-tjetrën. Konflikti dhe kundërvënia do të sjellin pasoja të papërballueshme për të dyja palët. Konkurrenca mes vendeve të mëdha nuk mund të zgjidhë problemet me të cilat përballen Kina e ShBA-ja, apo edhe mbarë bota. Bota është mjaft e madhe dhe të dy vendet mund të bashkëjetojnë në të, dhe suksesi i njërit vend është edhe një mundësi e mirë për vendin tjetër.