Qeveria e Shqipërisë miraton protokollin me Italinë për emigrantët
2023-11-16 11:09:40

Foto RTSH

Qeveria shqiptare ka miratuar ratifikimin e protokollit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë italiane, në lidhje me marrëveshjen për emigrantët.

Sipas një njoftimi zyrtar të publikuar në faqen e qeverisë, ajo ka propozuar gjithashtu projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes në parlament, bën të ditur “RTSH”.
 Kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, nënshkruan në 6 nëntor në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të një qendre për strehimin e emigrantëve.

Sipas marrëveshjes, qendra do të vendoset në Gjadër të Lezhës dhe do të ketë një kapacitet maksimal prej 3 mijë personash.

Marrëveshja parashikon që të gjitha shpenzimet do të përballohen nga Italia, ndërsa pala italiane do të procedojë me kërkesat për azil. Personat të cilëve nuk do t’u miratohet procedura e azilit do të riatdhesohen drejt vendeve të tyre, sipas marrëveshjeve dypalëshe që ka pala italiane me ato vende. Kohëzgjatja e marrëveshjes do të jetë 5 vjet. (Elona)